AKADEMIA E STARTUP
Nevoja për Akademinë e Startupeve erdhi si rezultat i mungesës në tregun vendas i një mekanizmi i cili nxit sipërmarrjen dhe vënien në jetë të ideve të reja falë ofrimit të njohurive të nevojshme për të garantuar suksesin dhe qëndrueshmërinë e startup-eve. Një startup është një organizatë e pavarur, e cila synon krijimin dhe zhvillimin e një produkti inovator dhe funksionon në një hark kohor më të vogël se 5 vjet. Cikli i jetës së një startupi mund të konsiderohet i plotë vetëm kur kompania është plotësisht e aftë të zhvillojë aktivitetet e saj ekonomike. Qëllimi përfundimtar nuk është vetëm regjistrimi dhe krijimi i një subjekti të ri juridik por krijimi i një subjekti plotësisht të aftë për të kryer një aktivitet ekonomik (një kompani e re). Në këtë kontekst, kjo Akademi do të luajë rolin e një katalizatori i cili shndërron idetë e biznesit në startupe të qëndrueshme falë ofrimit të aftësive dhe njohurive praktike.
Pre-Inkubimi
Në fazën e Pre-Inkubimit, udhëtimi i sipërmarrësit fillon nga ideja dhe shkon deri në komercializimin dhe testimin e produktit apo shërbimit. Në këtë grup trajnimesh sipërmarrësit e rinj do të njihen me konceptet thelbësore sesi të zhvillojnë një ide dhe ta kthejnë atë në biznes duke planifikuar dhe testuar produktin dhe shërbimin.
Inkubimi
Startup-et që hyjnë në fazën e inkubimit kanë hartuar planin e tyre të biznesit e janë gati të lançojnë ofertën e tyre në treg dhe të hedhin hapat e nevojshëm për regjistrim. Në këtë grup trajnimesh sipërmarrësit e rinj do të njihen me konceptet thelbësore të lancimit të biznesit të tyre, identifikimit të tregut dhe pozicionimit në atë treg, menaxhimit të biznesit dhe negocimit.
Post Inkubimi
Në fazën e Post Inkubimit bizneset e reja trajnohen dhe mentorohen me qëllim rritjen e shitjeve, përmirësimin e funksioneve të biznesit, ndërkombëtarizimin dhe dixhitalizimin. Në këtë grup trajnimesh sipërmarrësit e rinj do të njihen me konceptet thelbësore të marketimit të biznesit të tyre, të menaxhimit të opeacioneve të biznesit, menaxhimit të burimeve njerëzore etj.